Zlatan Ibrahimoviç rikthehet te Milani?!

Në ditëlindjen e 37 të gjigantit suedez, Zlatan Ibrahimoviç “Corriere della Sera” jep lajmin se ai mund të rikthehet te kuqezinjtë e Milanit, për të ndihmuar skuadrën të renditet në një nga katër vendet e para në fund të këtij sezoni, duke i siguruar një vend për në Ligën e Kampionëve, kompeticion ky që tashmë “rossonerëve” u mungon një kohë më të gjatë.

Edhe pse duhen edhe tre muaj që të hapet merkatoja e janarit, në shtëpinë “kuqezi” po zien gjithnjë e më shumë ideja për rikthimin në “San Siro” të Ibrahimoviçit, me të cilin në organikë Milani ka fituar për herë të fundit titullin kampion në “Serie A” në vitin 2011.

Ideja për të tentuar Ibran mësohet se ka lindur nga kërkesa e trajnerit Gatuzo për një tjetër qendërsulmues, i cili do të ishte një mbështetje e madhe për dyshen Gonzalo Higuain dhe Patrik Kutrone.

Qëllimi është për të shkuar sa më larg të jetë e mundur në Liga Europa, përmes të cilit trofe Milani do të siguronte pjesëmarrjen për vitin tjetër në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Europian.

Marrëveshja mes Ibrahimoviçit dhe Los Anxheles Galaksi përfundon në vitin 2019-të, por nuk përjashtohet mundësia që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për një lamtumirë më të shpejtë. Ideja e Milanit është që me super sulmuesin suedez të nënshkruajë kontratë 6-mujore.

Gjatë dy periudhave të ndryshme që ishte pjesë e Milanit, Zlatan Ibrahimoviç numëron 85 ndeshje me fanellën “kuqezi” dhe 56 gola.

Leave a Reply