Taulant Seferi “dopietë” në barazimin e Shqipërisë U21 ndaj Estonisë (VIDEO)

Futbollisti kumanovar, Taulant Seferi doli të jetë protagonistë në ndeshjen e fundit kundër Estonisë, e vlefshme për eliminatoret e Europianit të vitit 2019-të që do të mbahet në Itali, njofton ‘infOSport.mk’. Seferi shënoi që të dy golat në barazimin 2:2 të Shqipërisë ndaj Estonisë.

Golin e parë kumanovari e realizoi në minutën e 12-të, kur mjaft mirë depërtoi nga ana e majtë dhe me të djathtën e tij shënoi golin e parë në rrjetën e Vaikla.

Barazimin Estonia e gjeti 20 minuta pas golit të Seferit, me anë të Livak, i cili në minutat shtesë të pjesës së parë humbi edhe një penalti.

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime te Shqipëria, me Zekën dhe Dokën që zëvendësuan Sahitin, gjegjësisht Kryeziun, ndërsa kjo dha rezultat në minutën e 69-të kur Taulant Seferi nga brendia e zonës shënoi edhe golin  e dytë në rrjetën e estonezëve.

Epërsia 1:2 e shpresave të Shqipërisë ishte valide deri në minutën e 87-të, atëherë kur në skenë te Estonia doli Kuusk, i cili shfrytëzoi pasimin e Livak dhe mposhti portierin shqiptarë Kastrati, i cili në ato momente ishte i detyruar që edhe për herë të dytë të nxjerrë topin nga rrjeta e tij.

Ishte ky njëherit goli i fundit i këtij takimi që u mbyll me shifrat 2:2 dhe me ndarje të pikëve edhe në ndeshjen e dytë mes këtyte dy kombëtareve, duke pasur parasysh se edhe ndeshja e parë në Tiranë ishte mbyllur me barazim pa gola.

Shqipëria këtë cikël eliminator në kuadër të grupit 2 e mbylli me vetëm një fitore, 4 barazime dhe 5 disfata, duke u renditur kështu vetëm në pozitën e parafundit para kundërshtarit të sotëm, Estonisë që në 10 ndeshje kishte tubuara vetëm dy pikë, që të dyja përballë ‘kuqezinjëve’.

Leave a Reply