New York nga Shkupi organizoi turneun e futbollit për fëmijë “Pavarësia”

Në fundjavën që lamë pas në qytetin e Shkupit u zhvillua turneu i futbollit për fëmijë “Pavarësia”.  Ky turne u organizua nga klubi KF New York nga Shkup i udhëhequr nga profesori Afrim Bajrami dhe KF Bashkimi i Kumanovës. Turneu u zhvillua te shkolla fillore “Adem Jashari” në lagjen Seravë të Shkupit, në të cilin morën pjesë ekipe si Vizioni nga Ferizaji (gjenerata 2009/08), KF Gostivari (gjenerata 2009/08), Bashkimi (gjenerata 2009/08), KF Saraj (gjenerata 2009), KF Podujeva (gjenerata 2008), KF Drenica (gjenerata 2008) dhe organizatorët KF New York (gjenerata 2009/08). Të shtunën u zhvilluan ndeshjet e gjeneratës 2009 dhe ekipi më i mirë ishte KF Vizioni. Lojtari më i mirë u shpall Bebart Salihi nga KF Vizioni, ndërsa portieri më i mirë rezultoi të jetë Amir Elezi nga KF New York. Ndërkohë të dielën ishin në program ndeshjet e gjeneratës 2008, ku ekipi më i miri doli New York-u. Futbollisti më i mirë i këtij turneu në këtë gjeneratë u përzgjedh Erion Xhemaili nga KF Drenica, ndërsa portieri i Bashkimit u zgjedh gardiani më i mirë. Ndërkohë që para ndarjes së medaljeve, u zhvillua edhe një ndeshje e futbollit të femrave, mes klubit organizator KFF New York dhe Vizioni nga Ferizaji. Organizimi i turneut ishte në nivel të kënaqshëm për rangun e kompeticioneve të tilla, me organizatorin Afrim Bajramin që ishte kujdestur edhe për çështjen e ushqimit për çdo futbollist pjesëmarrës.

Leave a Reply