Futsal Shkupi shpallet kampion vjeshtorë në elitën e futsalit vendor

Futsal Shkupi është kurorëzuar me titullin e kampionit të vjeshtës në elitën e futsalit vendor, edhe atë një javë para mbylljes së pjesës së parë të sezonit 2018/2019, njofton ‘infOSport.mk’. Skuadra ‘bardhekaltër’ nga Çairi në ndeshjen e javës së 14-të si mysafir me rezultatin 5:2 mundi ekipin e Zhelezarecit, duke konfirmuar formën e mirë në të cilën ndodhet.

Rexhep Sulejmani dhe Ylber Alili shënuan nga dy gola në këtë përballje, ndërsa një gol tjetër për ekipin e trajnerit Zoran Lekiq, shtoi edhe Bejtulla Jakupi.

Për Futsal Shkupin ishte kjo fitorja e 13-të sezonale, me ç’rast me plotë meritë do të dimërojnë në pozitën e parë, në të cilën pretendojnë që të jenë edhe në fund të këtij edicioni.

Futsal Shkupi pas 14 xhirove ka tubuar 39 pikë, 4 më shumë se Velesi i vendit të dytë, që mbrëmë me rezultatin 13:3 mundi Kratovën. Po të shtunën ndeshjen e saj e zhvilloi edhe skuadra e Juventus Seravës, që u mund në trnsfertën ndaj Ciko-s me rezultatin 10:7, transmeton ‘infOSport.mk’.

Ishte kjo një super ndeshje dhe me shumë kthesa në rezultat. ‘Bardhezinjtë’ edhe pse ishin në disavantazh prej 4:0, arritën që të rikthejnë rezultatin në favorin e tyre (4:6), mirëpo në fund nuk kishin forcë për më tepër, sidomos pas përjashtimit të lojtarit të tyre Xhelal Mjaku, me të kuq, me ç’rast në fund duheshe të pajtohen me disfatën e tyre të 8 sezonale.

Leave a Reply