Ibraimi flet si kuqezi: Ndjehem i lumtur, falënderoj familjen Destani që ma mundësuan rikthimin!

“Bomba” e merkatos së janarit u zyrtarizua sot te Shkëndija e Tetovës, me Agim Ibraimin që pas shumë spekulimeve më në fund veshi sërish fanellën “kuqezi”. Ai pas prezantimit nga kampionët, foli në një intervistë për kanalin zyrtar të Shkëndijës.

“Është moment që nuk përshkruhet më fjalë. Jam shumë i lumtur që jam sërisht këtu. Bëhet fjalë për klubin tim të zemrës dhe asnjëherë nuk kam dyshuar se një ditë do të kthehem”, shprehet fillimisht Agim Ibraimi.

Ndarja me Shkëndijën në moshë shumë të re ishte vetëm fizike për Ibraimin dhe ai thotë se kuqezinjtë kanë qenë në zemrën e tij gjithandej.

“Kujtoj çastet e fëmijërisë te Shkëndija dhe ndjenjën kur jam ndarë me klubin dhe familjen në moshë shumë të re. Kjo ka bërë që çdo sukses që kam arritur në karrierën time me klubet ku kam luajtur të jem entuziast që ato gjëra t’i përjetoja me Shkëndijën, qoftë titujt apo sukseset në Kupat e Evropës”, thotë Ibraimi.

Numri i ri 10 i Shkëndijës shpreh mirënjohje pronarëve që mundësuan rikthimin e tij, ndërsa tifozerisë u premton suksese të reja me kuqezinjtë.

“Shfrytëzoj rastin të falënderoj familjen Destani dhe kryetarin e klubit Visar Bexhetin të cilët ishin iniciatorë të kësaj marrëveshje. Përshëndes gjithë tifozët me ‘Ballistët në veçanti. Besoj të kemi shumë suksese së bashku”, përfundon numri 10-të i Shkëndijës.

Leave a Reply