A po gënjen Ikardi për dëmtimin në gju? Interi e detyron të bëjë analizat

Një javë më parë Interi vendosi t’i heqë shiritin e kapitenit, sulmuesit Mauro Ikardi, ndërsa që nga ajo ditë ky i fundit nuk është stërvitur me grupin ‘zikaltër’, duke  u ankuar në një lëndim në gjurin e djathtë.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit ‘zikaltër’ kanë urdhëruar kryerjen e të gjitha analizave të nevojshme ndaj sulmuesit, për të kuptuar nëse problemi ekziston vërtetë dhe nëse po, sa i rëndë është ai.

Mëngjesin e sotëm, sulmuesi argjentinas iu drejtua një qendre shëndetësore në Milano, i shoqëruar nga bashkëshortja menaxhere, Vanda Nara, por edhe nga babai i tij, duke kryer analizat e nevojshme dhe një rezonancë magnetike për gjurin.

Shqetësimi më i madh i drejtuesve të Interit është se Ikardi mund të mos ketë probleme në gju, por thjesht ka gjetur një arsye për të mos zbritur më në fushë me skuadrën, pasi nuk e priti aspak mirë heqjen e shiritit të kapitenit.

Megjithatë tani u takon mjekëve të klubit, që të analizojnë me kujdes të dhënat nga klinika, për të parë nëse Mauro Ikardi ka vërtetë probleme në gju, apo do të duhet të lërë hilet dhe të bashkohet me shokët e skuadrës për ndeshjet që e presin Interin në “Serie A”.

Leave a Reply