Ringjallet seksioni i gazetarëve sportiv në Maqedoni

Ringjallja e seksionit të gazetarëve të sportit pranë Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, ka nisur sot, njofton “Alsat-M”. Fokusi i saj do të jenë të drejtat, mbrojtja dhe përmirësimi i kushteve të punës në të gjitha vendet ku gazetarët i kryejnë detyrat zyrtare gjatë raportimit, si dhe përfaqësimi para federatave sportive vendase dhe ndërkombëtare.

Në takimin e sotëm u paraqitën rreth 50 gazetarë sportiv po thuajse nga të gjitha redaksitë dhe llojet e mediave. Përkrahje kësaj nisme i dhanë edhe një pjesë e gazetarëve veteranë që ishin prezent në këtë takim.

“Si një organizatë më e vjetër e gazetarëve në vend, do të jemi erë në shpinën e seksionit të gazetarëve sportiv, me të vetmin qëllim për të përmirësuar kushtet për punën të gazetarëve dhe përfaqësimin më efikas para organizatave vendore dhe ndërkombëtare“, tha presidenti i SHGM-së, Mlladen Çadikovski.

Në takimin e sotëm u emërua një trup i përkohshëm drejtues të seksionit të përbërë nga Pero Momirovski (Alfa TV), Safet Ademi (TV Alsat M) dhe Vlatko Arsov (TV 24 Vesti) me detyrën e animimit të mëtejshëm të nismës në mesin kolegëve nga redaksitë e sportit në media si dhe përgatitjen e kuvendit zgjedhor.

Vëmendje posaçme do ti kushtohet angazhimit për krijimin e kushteve më të mira për punë në arenat sportive, kryerjen profesionale të detyrave të punës së gazetarëve të sportit si dhe për komunikim më të mirë me klubet dhe federatat. (Alsat)

Leave a Reply