Nafiu: Respekt për Shkupin, të jemi në nivel dhe të dalim me rezultatin e dëshiruar

Të dielën spikat sfida mes Shkupit dhe Shkëndijës në kampionat, me të dyja skuadrat shqiptare që kanë statistika të njejta dhe më të forta në sezonin pranveror me nga dy fitore dhe një barazim.

Përballja direkte e tyre, do të nxjerrë në pah më të mirën, me tetovarët që vijnë me disa mungesa në këtë përballje për shkak lëndimeve dhe kartonave, por gjithsesi se nuk dorëzohen dhe dëshirojnë që të marrin rezultat pozitiv për të forcuar kreun dhe ta mbajnë veten në distancë nga ndjekësit e tyre.

Nga tabori i “kuqezinjëve” për “InfOSport.mk” është prononcuar Valmir Nafiu, me sulmuesin që shpreh respekt për skuadrën shkupjane, por  është i bindur se rezultati pozitiv nuk do të mungojë nëse Shkëndija është në nivelin e duhur.

“Është e qartë se ne kemi qëllim fitimin e titullit kampion dhe për të arritur këtë çdo ndeshje e rradhës ka vlerën maksimale. E dimë se kundër neve çdo rival ka motiv shtesë sepse të mundësh kampionin dhe liderin gjithmonë është tërheqëse, por ne jemi adaptuar me këtë situatë dhe shikojmë punën tonë. Shkupi luan mirë në pranverë dhe pas tre ndeshjeve bashkë me ne kanë bilansin më të mirë në Ligë. Kemi respekt për këtë skuadër dhe e dijmë se do të bëjnë gjithçka për të na vështirësuar detyrën dhe ne duhet të tregohemi të aftë të menaxhojmë ndeshjen në  çdo situatë që mund të sjell. Besoj të jemi në nivelin tonë dhe nëse kjo ndodh nuk dyshoj të dalim me rezultatin e dëshiruar”, shprehet për “InfOSport.mk” sulmuesi i Shkëndijës, Valmir Nafiu.

Leave a Reply