Veliu: Ndaj Bellasicës shpresoj të realizojmë dhe të rikthejmë vetëbesimin

Pas dy disfatave radhazi në kampionat, nga Vardari dhe Makedonija Gj.P., në të cilat FC Shkupi dominoi me lojë dhe raste shënimi, skuadrën nga Çairi tashmë e pret edhe një përballje tjetër tepër e vështirë, duke pasur parasysh se do të jenë mysafir të Bellasicës, skuadër kjo që po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Megjithatë në taborin e skuadrës nga Çairi mbizotëron atmosferë e mirë, duke pohuar se janë të gatshëm maksimalisht të përgatitur për sfidën e rradhës që në program është gjatë ditës së nesermë.

Sulmuesi 21 vjeçar, Artan Veliu, i cili ndeshjen e fundit ndaj Makedonija GJ.P. e nisi si titullarë,  beson se secila përballje ka peshën e vetë dhe se nuk ka asnjë kundërshtarë të lehtë në sfidat pranverore.

“Sigurisht se nuk ka ndeshje të lehtë, të gjitha ekipet janë në kërkim të pikëve, andaj edhe në duelin e së dielës do të jetë një sfidë ku do të kërkojmë tre pikët e plota. Është për të ardhur keq që në dy ndeshjet e fundit kemi pësuar disfata, ndërsa kemi luajtur mirë. E vetmja gjë që na mungon është realizimi, andaj shpresojmë që pikërisht në ndeshjen e nesërme të kthejmë vetëbesimin dhe të marrim rezultat pozitiv”, – tha për sajtin zyrtarë të FC Shkupit, sulmuesi i ri nga Gostivari, Artan Veliu.

Pozitive është fakti se për këtë ndeshje, trajneri Umit Karan nuk ka asnjë mungesë, ashtu që do të mund të llogarisë në shërbimet e gjithë futbollistëve, përfshirë këtu edhe fantazistin, Ergun Abdul.

Ndeshja Bellasica – FC Shkupi do të zhvillohet të dielën (31 mars) në stadiumin “Mladost” me fillim në ora 15:30.

Leave a Reply