Real Madridi në start të sezonit pa Eden Hazard!

Real Madridi mbylli një fazë përgatitore mjaft zhgënjyese në Amerikë, ndërkohë që u përball edhe me dëmtime të shumta ku Asensio mbylli sezonin para kohe, ndërsa për shkak të një dëmtimi të marrë ditë më parë, në ndeshjen e parë të sezonit të ri te skuadra “madrilene” do të mungojë edhe përforcimi më i madh i kësaj merkatoje, Eden Hazard.

Ylli belg gjatë ditës së sotme u është nënshtruar vizitave mjekësore, pas së cilave u konstatua se ai nuk do të mund të ndihmojë skuadrën në ndeshjet epara të sezonit të ri.

“Pas testeve mjekësore të kryera nga stafi i Real Madridit pas stërvitjes së sotme, është vënë re se Hazard ka një dëmtim muskulor në pjesën e përparme të kofshës së djathtë. Rikuperimi i tij do të duhet të vlerësohet”, – shkruhej në njoftimin e klubit madrilen, i cili megjithatë nuk precizon kohën e mungesës së Eden Hazard.

Megjithatë mediat spanjolle shkruajnë se mesfushori belg mund të mungojë deri në një muaj, që i bie se nuk do të mund të ndihmojë skuadrën në ndeshjen e së shtunës kundër Selta Vigos, por gjithashtu edhe në ndeshjet me Valjadolid, Viljareal dhe Levante.

Leave a Reply