Gola me shumicë nga shqiptarët në ndeshjet e Kupës së Zvicrës, Ademi shënon sërish për Bazelin

Në mungesë të ndeshjeve kampionale, sot në futbollin zviceran në program ishin ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Zvicrës, e ku nuk munguan golat e futbollistëve shqiptarë, që i kishte me bollëk, njofton “infOSport.mk”.

Pa dyshim gëzon forma në kontinuitet e Kemal Ademit, sulmuesit të Bazelit, i cili po shndërrohet në një ndër futbollistët kryesor të skuadrës së njohur zvicerane. Ademi që shihet si kandidat potencial për të veshur fanellën e përfaqësueses së Kosovës në futboll për ndeshjet e tetorit dhe nëntorit, shënoi golin e parë për Bazelin në udhëtim ndaj Mejrin, në të cilën ndeshje skuadra shumë herë kampione e Zvicrës shënoi një fitore komode 3:0.

Përveç Ademit, për Bazelin në këtë ndeshje realizuan edhe Frej dhe Stoker, ndërsa vlen të ceket se Edon Zhegrova sërish mbeti në bankinë, mirëpo jo edhe Elis Isufi, 19-vjeçari që luajti për gjatë 90-të minutave.

Valon Fazliu (23 vjeç) shënoi golin e parë në ndeshjen mes Vill dhe Cyrih, mirëpo në fund nuk arriti që të ndihmojë skuadrën e tij për të kaluar në fazën tjetër, pasi mysafirët e Cyrih, për të cilën skuadër luajtën dy futbollistët shqiptarë, Benjamin Kololli dhe Mirlind Kryeziu, në fund shënoi fitore me rezultatin 2:1. Vlen të ceket se te Vill, përveç autorit të golit pjesë e formacionit të parë ishin edhe 4 futbollistë tjerë shqiptarë, si Eris Abedini (21 vjeç), Mërgim Brahimi (27 vjeç), Lindrit Kamberi (19 vjeç) dhe Bledian Krasniqi (18 vjeç), transmeton “infOSport.mk”.

Një tjetër futbollistë shqiptarë që doli të jetë protagonistë, është edhe sulmuesi 20-vjeçar, Andi Zeqiri, që ndihmoi skuadrën e tij Lozano të shënojë fitore 3:0 ndaj Luganos. Zeqiri shënoi golin e dytë për Lozanon në minutën e 58-të, ndërsa dy golat tjerë mbajnë firmën e Turkes (48’) dhe Daprela (64’).

Një gol mjaft të rëndësishëm, realizoi edhe Aziz Demiri, që ndihmoi skuadrën e tij Bavois të eliminojë ekipin e Olympique de Geneve. Demiri shënoi gol në minutën e 94-të, kur shënoi për 2:1, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë golin e bashkëkombasit të tij Blerim Arifi, i cili kishte shënuar goliln e parë të takimit në minutën e 61-të.

Një gol tjetër shqiptarë në ndeshjet e sotme të Kupës së Zvicrës, realizoi edhe Liridon Berisha i skuadrës së Kriens, i cili megjithatë nuk mundi të ndihmojë skuadrën e tij për të kaluar më tej, pasi në fund pësoi disfatë 2:4 nga skuadra e Lausanne Ouchy.

Leave a Reply