Bujar Islami flet për renditjen tabelare dhe pozitën në të cilën ndodhet Renova

Trajneri i ri i Renovës, Bujar Islami, përmes “infOSport.mk” ka analizuar renditjen tabelare pas 5 xhirove të para në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut.

Renova e Bujar Islamit pas 5 xhirove të para ndodhet në pozitën e 5-të me 7 pikë, pikë këto të fituara në 3 xhirot e para, pas dy të fundit rezultuan jo pozitive, duke pësuar dy disfata të njëpasnjëshme.

Sipas Islamit, tabela  nuk është pasqyrë e formës reale të skuadrave .

“Sa i perket tabelës, nëse marim të analizojmë ndeshjet e zhvilluara mendoj se për momentin nuk ështe reale, sepse lirisht mund të ju them se ne si klub me të vërtetë kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira, ku flet fakti që kemi pasur një posedim të jashtëzakonshëm të topit dhe lojës, kur ti shtojmë edhe rastet e shumta të qindëperqindta që nuk i kemi shfrytëzuar në të gjitha ndeshjet,  mendoj që renditja tabelare do të ishe krejt ndryshe, por futbolli i ka këto situata dhe momente, nëse vazhdojmë të luajmë në këtë ritëm dhe përmirësojmë sado pak realizimin dhe fazën e përfundimit të aksioneve, besoj shumë gjëra do të ndryshojnë” – tha trajneri i Renovës, Bujar Islami, i cili realisht pas këtyre 5 xhirove ka pritur më shumë edhe nga dy skuadrat tjera shqiptare, Shkëndija dhe FC Shkupi.

“Mendoj që skuadra e Shkëndijës me potencialin e futbollistëve që ka dhe buxhetin dallohet shumë nga ekipet tjera. Realisht kam pritur që Shkëndija të jetë në krye të tabelës, poashtu më shumë kam pritur  edhe nga ekipi i Shkupit, pasi mendoj se ka ekip për rezultate më të larta”.

Tutje për “infOSport.mk”, ai tregoi se cilat janë objektivat e klubit të Renovës për këtë sezon.

“Që në fillim të gjithë e dinë se nga Renova u larguan një numër i madh i futbollistëve titullar, por ne përsëri arritëm disi të konsolidohemi. Ambiciet tona janë mesi i tabelës, edhe pse ende është herët ndoshta të flitet për një gjë të tillë”.

Renovën në mesjavë e pret derbi i madh kundër Shkëndijës, që me siguri se do të jetë një ditë festë për Tetovën dhe gjithë futbolldashësit në vendin tonë.

Leave a Reply