Useini: Humbëm betejën, por jo dhe luftën!

Skuadra e Gjilanit, pjesë e së cilës është edhe mesfushori tetovar, Muhamed Useini, këtë fundjavë humbi derbin e javës së gjashtë përballë Prishtinës në Superligën e Kosovës.

Edhe pse bënë ndeshjen më të mirë të këtij sezoni, “bardhekuqtë” nga Gjilani pësuan disfatë 2:1 nga Prishtina. Megjithatë pikërisht loja e treguar në stadiumin “Fadil Vokrri”, por edhe mbështetja e madhe nga ana e tifo grupit “Skifterat”, ka bërë që të besuarit e Gentjan Mezanit të mos e marrin shumë për zemër këtë disfatë, që erdhi vetëm në minutën e 95-të.

Ish mesfushori i Shkëndijës dhe Renovës, që këtë verë iu bashkua Gjilanit, Muhamed Useini, pas ndeshjes ndaj Prishtinës, në profilin e tij në “facebook” kishte shkruar: “Ne humbëm betejën, por jo dhe luftën. Ne do të rikthehemi edhe më të fortë javën e ardhshme. Jemi gati për derbi”.

Useini ishte njëri ndër futbollistët më të dalluar në fushën e lojës te skuadra e Gjilanit, që pas 7 javëve të para në elitën e futbollit kosovar ndanë pozitën e parë me kampionët në fuqi të Feronikelit. Javën që vjen, me 29 shtator Gjilani do të zhvillojë derbin më të madh të sezonit, atë kundër rivalit lokal, Dritës, që me 11 pikë renditet në pozitën e tretë.

Leave a Reply