Sarri: Shpresoj Ronaldo të fitoj Topin e Artë

Juventus do të presë nesër Sassuolon, ndërsa trajneri i bardhezinjve Maurizio Sarri ka bërë thirrje për kujdes, pasi sipas tij, skuadra vuan gjithmonë klur kthehet nga ndeshjet e Championsit, gjë që u shfaq edhe ndaj Milanit e Lecces.

Çfarë ndeshjeje prisni nesër ndaj Sassuolos?
Pres një ndeshje të vështirë, pasi kur kthehemi pas ndeshjeve në Champions, na mungon diçka nga ana mentale dhe kjo u pa edhe ndaj Milanit e Lecces, ku vuajtëm jo pak. Megjithatë besoj se do të jemi mjaftueshëm të zgjuar për ta trajtuar si duhet këtë moment dhe marrë maksimumin.

Si është Ronaldo? Duket se golat i janë kthyer në obsesion…
Ronaldo është një resurs i çmuar për ne, por nuk di të them sa do të jetë gati nga ana fizike. Ne kemi tre sulmues të klasit botëror përpara dhe është normale që të bëjmë edhe alternime, pasi me rëndësi është që të fitojmë ndeshjet. Mund të them që dje Ronaldo është stërvitur në mënyrë të përsosur dhe këtë e konfirmojnë të dhënat që kam mbajtur shënim. Sa u përket golave, një si ai është mësuar të shënojë rregullisht dhe normale që mund ta vuajë disi këtë moment, por jam i bindur që Ronaldo ka eksperiencën e duhur për të menaxhuar këto momente dhe për të shënuar golat e tij.

De Ligt duket se është përmirësuar shumë me ardhjen e Barzaglit…
Natyrisht, pasi të punosh për më shumë se një muaj me një si Barzagli, që është njohës perfekt i rolit të mbrojtësit, por edhe të taktikave që përdoren në kampionatin italian, vetëm të përmirëson. De Ligt është një djalosh i ri, që po rritet me shpejtësi dhe shumë shpejt do të jetë një nga liderët e kësaj skuadre.

Kush mendoni se do ta fitojë Topin e Artë?
Nuk e di, por besoj dhe shpresoj që do ta fitojë Cristiano Ronaldo. Nëse nuk ndodh kështu, do të më vinte keq, pasi po flasim për një futbollist të klasit botëror, që është gjithmonë aty në maja. Shpresoj që edhe De Ligt të triumfojë në Topin e Artë për të rinjtë.

Leave a Reply