Bernard Berisha vazhdon kontratën me Akhmat Grozni

Bernard Berisha do të vijojë aventurën e tij në futbollin rus, pjesë e të cilit është që nga viti 2016-të. Mesfushori kosovar ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit të Akhmat Grozni, për të vazhduar kontratën edhe për 3 vite të tjera.

Berisha u transferua te Akhmat Grozni në vitin 2017 dhe që atëherë ka qenë një titullar fiks për pjesën më të madhe të ndeshjeve, duke luajtur si mesfushor i majtë, apo edhe si sulmues krahu.

Kjo periudhë përkoi edhe me ftesat nga përfaqësuesja e Kosovës, për të cilën Berisha deri tani ka luajtur 13 ndeshje.

Te skuadra çeçene janë të lumtur me paraqitjet e Berishës, ndërsa si shpërblim erdhi edhe rinovimi i marrëveshjes që pritet të zyrtarizohet gjatë pushimit të fundvitit.

“Në një të ardhme të afërt, kontrata me Bernard Berishën do të rinovohet. Kemi arritur një akord për të firmosur për 3 vite”, – është shprehur drejtori i përgjithshëm i Akhmat Grozni, Akhmed Ajdamirov.

28-vjeçari Bernard Berisha me fanellën e Akhmat Grozni numëron 72 paraqitje dhe 5 gola të shënuar, 2 prej të cilëve këtë edicion në 15 ndeshje sa ka qenë prezent në fushë.

Leave a Reply