UEFA ka dënuar Federatën e futbollit të Turqisë, për shkak përshëndetjeve të tyre ushtarake gjatë ndeshjeve të tetorit, atëherë kur ushtria turke kryente ofenzivën ushtarake në Siri.
Futbollistët e kombëtares turke përshëndetën tifozët e tyre në tribuna gjatë ndeshjeve eliminatore kundër Francës në transfertë dhe Shqipërisë si vendas.
Në këtë listë bëjnë pjesë edhe futbollistët e Istanbul Bashakshehir, përfshirë këtu edhe brazilianin Robinjo, të cilët gjithashtu kishin përsëritur një gjë të tillë në ndeshjen e Liga Europës kundër austriakëve të Volfesberger AK.
Dënimi i UEFA-s ndaj Federatës turke kap shifrën e 50 mijë eurove, përfshirë këtu edhe sanksionet për sjelljen e tifozëve turq gjatë ndeshjes eliminatore në Paris.
Shtëpia e futbollit europian gjithashtu ju ka tërhequr vërejtjen edhe 16 futbollistëve të kombëtares turke si 6 të skuadrës së Istanbul Bashkakshehir, për shkak sjelljes së tyre gjatë ndeshjeve të lartëpërmendura.