E bujshme, FC Prishtina arrinë marrëveshje me gjigandët e Beshiktashit për rekrutim të talentëve

Skuadra e mirënjohur kosovare e FC Prishtinës ka mbërritur në Turqi për të vijuar me fazën kryesore të përgatitjeve për stinorin pranveror në Superligë, aty ku edhe këtë vit pretendon titullin e kampionit.

Ndërkohë presidenti i këtij klubi, Remzi Ejupi, e ka shfrytëzuar këtë moment për të arritur një marrëveshje me drejtuesit e skuadrës gjigande të Beshiktashit, për të rekrutuar talentët e futbollit të shkollës së saj.

Ejupi u takua me Ahmet Nur Çebi, presidentin e klubit nga Stambolli për ta arritur këtë marrëveshje për grupmoshat e reja.

Ejupi u shpreh se takimi ishte shumë i frytshëm me investitorin e madh të një prej klubeve emblemë të Turqisë.

“Ishte një takim vëllazëror, në të cilin u dakorduam që në të ardhmen të bashkëpunojmë për grup-moshat e reja, të organizohen kampe për të rekrutuar talentë. U morëm vesh që talente nga Prishtina të marrin pjesë në turnetë, të cilët i organizon skuadra e Beshiktashit këtu në Turqi dhe ne të sjellim në këtë klub lojtarët më potencialë që i kemi në Prishtinë, në mënyrë që edhe ata ta ndjekin rrugën e Vedat Muriqit, i cili po shkëlqen në Superligën turke”, ka deklaruar pas takimit Remzi Ejupi për faqen e klubit “prishtinafc.com”.

Ejupi me këtë rast ia dorëzoi presidentit Çebi si dhuratë fanellën e Prishtinës me numrin 10. Njeriu i parë i klubit prishtinas ndër të tjera zbuloi se presidenti Ahmet Nur Çebi së bashku me drejtorin e Akademisë së Beshiktashit së shpejti do ta vizitojnë Prishtinën.

“Mikut Ahmet Nur Çebi i kemi bërë ftesë dhe pritet ai së bashku me drejtorin e Akademisë së Beshiktashit ta vizitojnë Prishtinën, në mënyrë që ta thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin me këtë klub gjigant”, zbuloi Remzi Ejupi.

Kujtojmë se Ejupi ka miqësi të ngushtë edhe me drejtues të tjerë të skuadrave elitare turke. Me kundërshtarin e djeshëm të Beshiktashit, Sivasspori, skuadër që po udhëheq në Superligën e Turqisë, FC Prishtina i ka zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, një në Kosovë dhe një në Turqi.

FC Prishtina të dielën ka zbarkuar në tokën turke, ku është akomoduar në bregdetin e Antalias për përgatitje 13-ditore.

Leave a Reply