Shkëndija ndihmon spitalin e Tetovës

Në këto kohë të vështira kur pandemia e COVID-19 ka paralizuar pjesën më të madhe të të gjitha sferave në gjithë globin, futbolli nuk është përjashtim dhe në këtë moment. Në këtë situatë, kampionët në fuqi të vendit, Shkëndija ka marrë iniciativë për të ndihmuar spitalin e Tetovës. “Duke vlerësuar angazhimin e parezervë të komplet personelit mjekësorë të Spitalit Klinik të Tetovës, që nuk kursejnë asgjë nga vetja, madje rrezikojnë edhe shëndetin personal në interes të të qenurit në shërbim të qytetarëve në nevojë, klubi ynë në shenjë solidarizimi me ta ofron mbështetje përmes një donacioni (skafindera, doreza, dezinfektues, termometra infrared, saintaizerë dhe materiale tjera të nevojshme për situatën e krijuar)”, shkruhet në njoftimin e klubit tetovar. Donacionin e klubit kuqezi e dorëzuan Mevlan Murati, Enur Totre dhe Omar Imeri në Repartin e Sëmundjeve Infektive pranë Spitalit Klinik të Tetovës.

“Shkëndija është e popullit dhe mbështetja e madhe e publikut gjithmonë ka qenë forcë shtesë për skuadrën. Tani në këto momente të krizës globale me përhapjen e pandemisë së virusit COVID-19, ne ndjejmë përgjegjësi për të qenë me dhe për popullin në mënyra të ndryshme. Përveç mbështetjes individuale që si futbollistë kemi ofruar ku kemi ndjerë se është nevoja, kemi parë të arsyeshme që të zgjasim dorën e ndihmës edhe për mantelat e bardha, gjegjësisht stafin mjekësorë që nuk kursen asgjë për tu dalë në ndihmë gjithë të prekurve nga virusi korona. Futbolli është sport ekipor dhe ne kemi bindjen se duke qëndruar pranë njëri tjetrit do ta fitojmë edhe këtë sfidë, për të dalë sa më shpejtë nga kjo situatë“, shprehet Mevlan Murati.

Leave a Reply