Munishi: Shpresoj të jem gabim por nuk po i vjen era futboll

Futbollistët e Ballkanit të mërkurën do të kthehen në fushë pas një pauze të gjatë. Ballkani të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të Digjitalb Kupës së Kosovës kundër kampionit aktual dhe fituesit së Kupës, Feronikelit.

Por, duket se brenga e klubit nga Theranda nuk është kjo ndeshje e kupës, pasi janë të shqetësuar rreth mundësisë së ndërprerjes së Superligës.

Në një intervistë për “Insportin” trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi ka deklaruar se është i brengosur rreth fatit të Superligës. Megjithatë, ai thotë se nuk dëshiron të spekulojë por disa zhvillime të fundit janë duke u “nuhatur”.

“Më shumë po më brengos mundësia e ndërprerjes së kampionatit . Nuk dua të spekuloj por ka filluar t’i vie era shumë, se sa ndeshjet e kampionatit, jemi të shqetësuar pasi diçka është përgatitur, shpresojmë të jemi gabim” – ka thënë Munishi.

Ndeshja me Feronikelin nesër do të zhvillohet në Therandë me fillim në ora 16:00, ndërsa kundërshtarë i parë i Ballkanit në kuadër të ndeshjeve të IPKO Superligës është Drenica, ndeshje kjo që në program është me datë 7 qershor.

Ballkani është lider i Superligës me 44 pikë pas 22 xhirove të zhvilluara, i ndjekur nga Drita në pozitën e dytë me 43 pikë.

Leave a Reply