Shqipëria pas fitores së madhe ndaj Bjellorusisë, me disa ndryshime nis përgatitjet për Lituaninë

Pas fitores 2:0 ndaj Bjellorusisë në udhëtim, Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur punën për ndeshjen e radhës që e luajnë ndaj Lituanisë.

“Kuqezinjtë” të shtunën kanë zbritur sot në  stadiumin “Selman Stërmasi”, aty ku kanë zhvilluar edhe seancën e radhës stërvitore.

Trajneri Reja është marrë më shumë me futbollistët që nuk u aktivizuan ditën e djeshme, për shkak të freskisë fizike, ndërsa pjesa tjetër kanë zhvilluar një seancë stërvitore shtrydhëse.

Mësohet se Kombëtares ditën e sotme i është bashkuar edhe mbrojtësi Hysen Memolla, i cili ka lënë pas dëmtimin që nuk i mundësoi që të udhëtonte drejt Bjellorusisë me pjesën tjetër të ekipit.

Ai është gati për duelin e së hënës dhe do të jetë një alternativë më shumë për krahun e majtë të mbrojtjes, ku Trashi ishte alternativa e vetme deri tani.

Gjithashtu vlen të theksohet se nën urdhrat e Rejës për këtë ndeshje do të jetë edhe sulmuesi Armando Broja, që mungoi ndaj Bjellorusisë për shkak të një kartoni të kuq me Kombëtaren U-19.

Mesfushori Ylber Ramadani është larguar sot nga Shqipëria për t’u kthyer në Danimarkë, për të vazhduar riaftësimin nga dëmtimi që e bëri të humbte këto dy sfida e muajit shtator.

Leave a Reply