Shtohen problemet te Renova, kapiteni Gafuri do të mungojë deri në fund të vitit!

Lajme aspak të mira për Renovën dhe trajnerin e tyre Bujar Islami në momentet ndoshta më të vështira të skuadrës nga Xhepçishti.

Sikur të mos mjaftonin rezultatet e dobëta në këtë fillim sezoni, nga tabori i skuadrës “bardhekaltër” nga Tetova kanë njoftuar edhe për lëndimin e rëndë të kapitenit të tyre, Argjent Gafuri, transmeton “infOSport.mk”.

Ky i fundit kishte pësuar një lëndim në gjurin e këmbës së djathtë në ndeshjen ndaj Bellasicës, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore ishte konstatuar këputje e ligamentit të kryqëzuar.

Kështu Gafuri ditëve në vijim do të duhet ti nënshtrohet një intervenimi kirurgjik, që më pas të vijoj fazën e rikuperimit, e që me shumë gjasa do të zgjas një kohë më të gjatë.

Me shumë gjasa Gafuri do të humbas pjesën e parë të sezonit, ndërsa pritet të jetë i gatshëm vetëm për pjesën e dytë, kur edhe Renova do të kërkojë të bëjë më të mirën dhe të përsëris suksesin e edicionit të kaluar, kur siguroi një vend për në garat europiane.

Leave a Reply