Mançester Junajted-Arsenal, spektakël i garantuar në “Olld Traford”

Tre fitore me kundërshtarë si Njukasëll Junajted, Paris Sen Zhermen dhe Lajpcig, si dhe barazimi me Çelzin në “Olld Traford” kthyen në rrugën e duhur “”Djajtë e Kuq”, që tani bëhen gati për një sfidë të nxehtë me Arsenalin në Premierligë.

Natyrisht që bëhet fjalë për një klasike të futbollit anglez dhe dy klube që krijuan një rivalitet të egër në historinë e Premierligës.

Ky është sezoni i parë që nga edicioni i largët 1972-73 që Mançester Junajtedi nuk ka fituar në “Olld Traford” asnjë nga tre sfidat e para në kampionatin anglez, edhe atë që të trija përballë skuadrave londineze, si Kristal Pallas, Totenham dhe Çelzi.

Në katër sfidat e fundit në të gjitha kompeticionet Junajtedi ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar 11 gola dhe pësuar vetëm 2.

“Djajte e Kuq” vërtet nuk fitojnë prej pesë ndeshjesh radhazi brenda në kampionat, mirëpo çfarëdo rezultati që të arrijnë sot përballë Arsenalit, Solskjaer përsëri do t’ia dalë për ta kaluar mësuesin e tij Aleks Ferguson, kur janë në pyetje 100 ndeshjet e para në krye të Junajtedit.

Ole Gunar Solskjaer ka regjistruar si trajner 55 fitore, 21 barazime dhe 23 humbje në 99 ndeshjet e para me “djajtë e kuq”, sidoqoftë shumë larg Hoze Murinjos, që ka fituar 62 % të ndeshjeve në 100 sfidat e para me “Djajtë e Kuq”.

Në krahun tjetër qëndron Mikel Arteta, që në harkun e vetëm katër javëve i dha klubit si trofeun në FA Cup dhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës ashtu edhe Superkupën, duke mposhtur në “Community Shield” pikërisht Liverpullin e Jurgen Klopp. Ndonëse i ka fituar dy sfidat në Europa League ekipi i Arsenalit do të zbresë në “Olld Traford” pas humbjeve radhazi në kampionat me kundërshtarë të fortë, si Mançester Siti dhe Leçester, për më tepër pa gjetur dot as rrugën e rrjetës. Interesant është fakti që në “Teatrin e Ëndrrave” do të masë forcat klubi më i suksesshëm në historinë e kampionatit anglez, me klubin që ka fituar më shumë trofe në kuadër të FA Kupës, gjithsesi Arsenali dhe Junajtedi pozicionohen për momentin në gjysmën e dytë të klasifikimit të përgjithshëm, me “Topçinjtë” që numërojnë vetëm 2 pikë më tepër në tabelën e renditjes.

Te Mançester Junajtedi do të vazhdojë të vuajë skualifikimin sulmuesi Entoni Martial, ndërsa braziliani Aleks Telles vijon të jetë pozitiv me virusin Covid – 19, ndërkohë në krahun tjetër 38-vjeçari bask ka me probleme fizike qendërmbrojtësin David Luiz. Në divizionin elitar të futbollit anglez të klubeve kjo është sfida e 183 ndërmjet këtyre dy ekipeve. Junajtedi kryeson bilancin në kampionat 75:62 me fitore, me një golaverazh të përgjithshëm 272-247.

Takimi do të luhet në orën 17:30 në “Olld Traford” dhe do të drejtohet nga arbitri veteran, 52-vjeçari Majk Din.

Leave a Reply