Shpresat e Shqipërisë mundin moshatarët e tyre të Kosovës në Prishtinë (VIDEO)

Kombëtarja shpresa e Shqipërisë ka shënuar fitore minimale 1:0 në duelin kundër Kosovës, të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e parafundit në kuadër të grupit 3 eliminatorë për Europianin e vitit të ardhshëm, ndërsa fitorja e dytë për “kuqezinjtë”, pas asaj në Elbasan me rezultatin 2:1.

Në mungesë të Alban Bushit, i infektuar me koronavirus, “kuqezinjtë” e vegjël i udhëhoqi Xhemal Mustandagiq.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte shumë e dobët për Kosovën, derisa golin e epërsisë dhe të fitores për Shqipërinë e realizoi Enis Çokaj në minutën e 35’ pas harkimit të Muçës.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, “dardanët” ishin skuadër më e mirë, sidomos në 15-të minutëshin e fundit, kur Mustafa nga afërsia qëlloi edhe traverzën. Vijuan edhe disa tentativa tjera nga ana e të besuarve të trajnerit Prekazi, mirëpo në fund rezultati mbeti i pandryshuar, me Shqipërinë që arkëtoi 3 pikë të reja dhe që ende shpreson për atë pozitë të dytë, në të cilën për momentin ndodhet Austria.

Këta të fundit në ndeshjen tjetër të grupit pësuan disfatë 3:2 në udhëtim te Turqia, mirëpo pavarësisht kësaj disfate me 15 pikë vazhdojnë të mbajnë pozitën e dytë, derisa Shqipëria me 14 pikë mbetet në pozitën e tretë, transmeton “infOSport.mk”.

Skuadra “kuqezi” e U21 në xhiron e fundit të grupit do të përballet me Anglinë e vendit të parë në transfertë. Kjo ndeshje në program është me 17 nëntor, po të njëjtën ditë, kur Austria do të ketë një punë shumë më të lehtë përballë Andorrës së vendit të fundit.

Leave a Reply