Milani me 3 mungesa të rëndësishme sonte kundër Sampdorias!

Milani vazhdon të kryesojë renditjen në “Serie A”, teksa sonte “kuqeiznjtë” në kuadër të javës 10-të do të përballen me Sampdorian në transfertë. Në këtë ndeshje që do të zhvillohet në Xhenovë, tekniku i “kuqezinjve”, Stefano Pioli, do të duhet të bëjë pa shërbimet e tre prej titullarëve më të spikatur gjatë këtij viti.

Kështu Zlatan Ibrahimoviçit në infermieri iu bashkua edhe danezi Simon Kjaer, që pësoi një tërheqje të lehtë muskulore të enjten ndaj Lillë, ndërsa sot do të mungojë edhe mesfushori algjerian Ismael Benaser.

Ky i fundit ka pasur shpesh probleme muskulore javët e fundit dhe për shkak të një lodhjeje më tepër se e zakonshmja, është vendosur që të mos grumbullohet për sfidën e mbrëmjes së sotme ndaj Sampdorias.

Sandro Tonali pritet të marrë vendin e titullarit në mesfushë, në krah të Frank Kesie, ndërsa në mbrojtje, në vendin e Kjaer do të luajë sërish i riu Mateo Gabia, që po gjen shumë hapësira këtë sezon dhe po rritet vazhdimisht.

Sa i përket sulmit, nuk priten surpriza, pasi në majë do të luajë Ante Rebiç, i mbështetur nga belgu Saelemaekers dhe spanjolli Brahim Diaz, të cilët kanë dhuruar paraqitje mjaft të mira kohët e fundit.

Ndeshja Sampdoria – Milan starton në ora 20:45.

Leave a Reply