Shkëndija mund Ak.Pandev dhe shpallet kampione e vjeshtës, vendos goli i 16-vjeçarit Elezi (VIDEO)

Shkëndija një javë para fundit të stinorit vjeshtorë, ka arritur që të shpallet kampione e pjesës së parë të sezonit në futbollin elitarë, kjo falë fitores në transfertën ndaj Akademia Pandev, por para së gjithash edhe barazimeve të dy ndjekësve më të afërt, FC Shkupit dhe Makedonija GJ.P., njofton “infOSport.mk”.

Skuadra “kuqezi” nga Tetova mundi minimalisht 1:0 Akademia Pandevin, ku vendosi një gol i 16-vjeçarit, Dashmir Elezi.

Ky talent po shfrytëzon në maksimum besimin e dhënë të trajnerit Ernest Gjoka, teksa nga ndeshja në ndeshje po merrë vetëbesim edhe më të madh, ndërsa një gjë e tillë po vërehet edhe nga veprimet e tij në fushën e blertë.

Elezi në minutën e 53-të shfrytëzoi në maksimum pasimin e saktë të mbrojtësit Mexhit Neziri, duke mposhtur nga afërsia portierin vendas, Marko Alçevski.

Pas këtij goli Akademia Pandev kërkonte golin e barazimit, mirëpo mbrojtja më e mirë e kampionatit me në krye komandantin Egzon Bejtullai, nuk lejuan që vendasit të afroheshin drejt portës së Zahov, ndërkohë në anën tjetër me anë të Besart Ibraimit në minutën e 80-të mund të shënonin edhe golin e dytë në rrjetën e Akademia Pandev.

Ibraimi nuk arriti të shfrytëzojë këtë mundësi të dhënë dhe ti afrohej në vetëm një gol kundër kandidatit të tij në listën e golashënuesve, Dembo Darboe, megjithatë ajo që është më e rëndësishme, është se Shkëndija e tij tashmë ka 6 pikë më shumë se FC Shkupi dhe Makedonija Gj.P, që vazhdojnë të mbeten në pozitat 2 dhe 3. Në anën tjetër Akademia Pandev pas kësaj disfate tashmë pozicionohet vetëm në pozitën e parafundit, ashtu që këtë skuadër e pret një pranverë paksa e vështirë, ku do të duhet të luftojë për mbijetesë.

Leave a Reply