FC Shkupi barazoi kundër Akhmat Grozni, shënon sërish Ilirid Ademi (VIDEO)

FC Shkupi ka zhvilluar edhe kontrolluesen e dytë në Antalia të Turqisë, teksa sot kishte përballë skuadrën e njohur të Akhmat Grozni, që garon në Premierligën ruse,njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja në fjalë u mbyll me barazimin 1:1, ndërsa trajneri Hasan Ozer, edhe përballë Akhmat Groznit zbriti në fushë me formacionin e njëjtë sikurse atë kundër skuadrës ukrainase të FK Obolon Kiev, ndeshje ajo që ishte mbyllur me barazimin 2:2.

Ilirid Ademi sërish doli të jetë në element, teksa në minutën e 39-të shfrytëzoi në maksimum pasimin e Besart Krivanjevës nga e majta para portës së Akhmat Grozni, me ç’rast nuk e kishte aspak të vështirë të shënonte në rrjetën e Shelija.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë e këtij takimi, ndërsa në pjesën e dytë të dy trajnerët provuan edhe futbollistë të tjerë nga bankina, derisa në minutën e 73-të Andrej Semenov nga një pakujdesi e mbrojtjes së “bardhekaltërve” arriti që të barazojë shifrat në 1:1.

Te Akhmat Grozni në këtë ndeshje nuk u paraqit fare reprezentuesi i Kosovës, Bernard Berisha, derisa Odise Roshi luajti në 45 minutëshin e parë, transmeton “infOSport.mk”.

Ndeshjen e rradhës, FC Shkupi do ta zhvillojë me 31 janar kundër ukrainasve të FC Lviv, që më pas me datë 3 shkurt të zhvillojë edhe kontrolluesen e fundit në tokën turke përballë skuadrës ruse të FK Ufa. (infOSport.mk)

Leave a Reply