Dyshimet për humbjen e Maradonës, 3 të dyshuar të tjerë nën hetim!

Është thelluar skandali për vdekjen e legjendës së futbollit argjentinas dhe atij botëror, Diego Armando Maradona. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve që sollën humbjen e jetës së legjendës argjentinase, po zgjerohen gjithnjë e më shumë.

Mediat argjentinase bëjnë me dije se 5 persona po hetohen nga Prokurori i Përgjithshëm i San Isidros, që po merret me këtë çështje.

Pas doktorit Leopoldo Lukue dhe psikiatres Agustina Kosaçov, zbulohet se po hetohen gjithashtu edhe psikologu Karlos Diaz dhe infermierët Riçardo Almiron dhe Dahiana Gisela. Të tre këta të fundit akuzohen për dëshmi të rreme në marrjen në pyetje pas ndarjes nga jeta të Diegos.

Karlos Diaz, me profesion psikolog, ishte kujdesur për Maradonën në shtator 2020 dhe u pa me dyshim nga prokurorët për rolin që ai kishte mbajtur, ndërkohë, Riçardo Almiron, ishte i fundit që e pa Maradonën të gjallë, para se të pësonte arrestin kardiak.

Sipas të gjitha gjasave, tre të dyshuarit e rinj do të thirren përsëri nga hetuesit në ditët në vijim për t’u marrë në pyetje, për të hedhur dritë mbi të vërteten e humbjes së jetës së Diegos.

Leave a Reply