PSZH-ja demoloi Barcelonën në “Kamp Nou”, Messi ishte nën hijen e Mbappes (VIDEO)

Falë “tripletës” së Kylian Mbappe, Paris Sen Zhermeni demoloi Barcelonën me rezultatin 4:1 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, duke bërë kështu një hap të madh drejt kualifikimit për në çerekfinale, njofton “infOSport.mk”.

Ekipi “katalunas” kaloi në epërsi falë golit të Lionel Messit nga pika e bardhë në minutën e 27-të, derisa Mbappe u kundërpërgjigjë me 3 gola të shënuar në portën e Ter Shtegen (32’, 65’, 85’). Një gol tjetër për parisienët në këtë përballje, e realizoi Mojs Kin në minutën e 70-të.

Ndeshja e kthimit midis PSZH-së dhe Barcelonës në Paris, në program është me datë 10 mars, ndërsa edhe përkundër faktit se skuadra e Poçetinos shihet favoritë absolut për të kaluar në fazën tjetër, historia tregon që megjithatë kampionët e Francës duhet të jenë më të rezervuar.

Mjafton të kujtojmë fitoren 6:1 të Barcelonës në marsin e vitit 2017-të, që ishte si kundërpërgjigje për atë fitore 4:0 të Paris Sen Zhermen në ndeshjen e parë në “Parkun e Princërve”. (infOSport.mk)

Leave a Reply