Besar Guxhufi, njeriu i kthesës dhe shpresës për Bellasicën këtë edicion (VIDEO)

Bellasica jep shenjat e para të mbijetesës. Skuadra nga Strumica, që edicionin pranveror do të udhëhiqet nga trajneri i mirënjohur, Gjore Jovanovski, por edhe një super yll, si Besar Guxhufi, stinorin pranveror e nisi me një fitore të madhe në transfertën në Tetovë, kundrejt një kandidati tjetër që do të luftojë për mbijetesë, Renova, njofton “infOSport.mk”.

4:2 ishte rezultati përfundimtarë i këtij takimi në favor të Bellasicës, skuadër kjo që golat e fitores i regjistroi vetëm në momentet e fundit të takimit, edhe atë falë yllit shqiptarë, 16-vjeçarit Besar Guxhufi, i cili në lojë u inkuadrua në fillimin e pjesës së dytë.

Ndryshe kjo ndeshje rezultoi të jetë me shumë kthesa në rezultat, me Bellasicën që avansoi e para me golin e shënuar nga Antonio Kalanoski në minutën e 42-të nga pika e bardhë.

Mysafirët në çastet e fundit të pjesës së parë përfituan një penalti pas një pakujdesie të portierit Velii, ndërsa Kalanoski nuk fali dhe bëri që skuadra e tij në pushim të shkojë me epërsi minimale, 1:0.

Megjithatë çereku i parë i pjesës së dytë u mjaftoi vendasve për të rikthyer gjërat në favorin e tyre.

Fillimisht Fatjon Jusufi në minutën e 59-të barazoi shifrat në 1:1, ndërsa i njëjti dy minuta më pas ishte meritor edhë në shënimin e golit të dytë nga Filip Stojçevski, që përfitoi nga një devijm i portierit mysafir.

Mirëpo këtu vendasit u ndalën, duke menduar se tashmë fitoren e kishin në xhep. Megjithatë ashtu nuk doli të jetë edhe realisht, pasi 10 minutat e fundit në fushë pamë një super Besar Guxhufi, i cili edhe pse i ri në moshë lirisht mund të themi se ishte njeriu i kthesës dhe njeriu më i merituar për fitoren e Bellasicës në këtë transfertë.

Shkupjani në minutën e 81-të arriti që të tund rrjetën e Hadis Velii, duke barazuar shifrat në 2:2.

Nuk vonoi shumë dhe 5 minuta më pas, Bellasica përfitoi edhe penaltinë e dytë në këtë takim, të cilën sërish e ezekutoi Antonio Kalanoski.

Ky i fundit nuk gaboi sërish dhe për herë të dytë në këtë ndeshje kaloi në epërsi skuadrën nga Strumica, që në minutat shtesë të takimit gjeti edhe golin e katërt, kjo falë edhe performancës së Besar Guxhufit.

Ky i fundit si një tren i pandalshëm u shfaq para zonës kundërshtare, duke mos bërë hesap pengesat që kishte përballë, teksa mu në momentin e duhur me një prekje mjeshtërore të pasojë për Kalanoskin, i cili rrumbullaksoi “hat-trikun” e tij të parë me fanellën e Bellasicës.

Ishte kjo vetëm fitorja e 3-të për Bellasicën në 19-të javë kampionat, me ç’rast kjo skuadër vazhdon të mbetet në pozitën e fundit në renditje, mirëpo tashmë me shpresa shumë më të mëdha për të mbijetuar, kjo për faktin se edhe skuadrat tjera që ndodhen në zonën e ftohtë nuk fituan. Bellasica ka 12 pikë, 7 më pak se Pelisteri dhe Renova që ndodhen në pozitat 9 dhe 10, derisa Akademia Pandev me 17 pikë renditet në pozitën e parafundit. (infOSport.mk)

Leave a Reply