Vllaznia shkarkon trajnerin Brdariç

Thomas Brdariç nuk është më trajner i Vllaznisë. Vetëm një fitore në 9 ndeshjet e fundit, është konfirmimi më i mirë për krizën që kishte prekur Vllazninë, skuadër kjo që u mund edhe sot me përmbysje 1:2 nga Bylisi në “Loro Boriçi”, ndërsa për këtë situatë duket se pagoi pikërisht tekniku gjerman.

Drejtuesit e klubit kuqeblu vendosën të ndërpresin bashkëpunimin me teknikun gjerman menjëherë pas ndeshjes me Bylisin, ndërsa tani drejtimi i skuadrës së Vllaznisë i është besuar Elvis Plorit.

Ky i fundit ishte ndihmësi i parë i trajnerit gjerman që në fillim të sezonit dhe të dy kanë pasur një bashkëpunim mjaft të mirë në krye të pankinës kuqeblu, por tani i takon 42-vjeçarit shkodran të nxjerrë nga kriza klubin.

Thomas Brdariç mori drejtimin e Vllaznisë gjatë verës dhe punoi mjaft mirë për të ndërtuar një skuadër që për 15 javë bindi edhe më skeptikët me lojën e bukur e rezultatet e arritura në fushë, duke u shkëputur me 10 pikë diferencë në krye të renditjes.

Megjithatë në 9 ndeshjet e fundit kuqeblutë kanë fituar vetëm përballjen me Apoloninë dhe kanë barazuar 4 takime e kanë humbur po kaq. Aktualisht Vllaznia pas 24 xhirove, kryeson renditjen me 42 pikë, mirëpo të njëjtën mund ta dorëzojë vendin e parë që nesër, kur të zbresin në fushë ndjekësit më të afërt si Laçi, Teuta dhe Partizani.

Leave a Reply