Gladiatori Ibrahimoviç! Statistika të frikshme edhe në moshën 40-vjeçare

Zlatan Ibrahimoviç mbrëmë kundër Fiorentinës shënoi një nga 3 golat e Milanit, duke ndihmuar skuadrën e tij për të marrë një fitore shumë të rëndësishme, që i jep shpresa ende për titullin kampion në Serie A.

Goli i mbrëmshëm ndaj Fiorentinës, ishte i 15-ti për suedezin nga po aq ndeshje të zhvilluara. Një ecuri kjo fantastike e suedezit, që ka peng mungesat e mëdha për shkak dëmtimesh.

Pas ndeshjes së zhvilluar në “Artemio Franki”, Ibra foli për “Sky Sport”, ku ndër të tjerash, tha: “Pas një disfate dhe largimit nga Evropa, titulli në Serie A mbetet ende si objektiv. Ne donim të fitonim me çdo kusht, treguam karakterin tonë dhe duhet të vazhdojmë”.

“Unë jam duke marrë përgjegjësi, duke ndihmuar brenda dhe jashtë fushe. Sot kam luajtur të gjithë ndeshjen, është një moment intensiv, tani ka një pushim” – u shpreh Ibrahimoviç, i cili foli edhe për ftesën te kombëtarja suedeze, por edhe për të ardhmen e tij.

Për ekipin kombëtar: “Dëshira ime ishte të vazhdoja të luaja dhe të isha i lumtur. Kombëtarja është një nder, një nder i madh. Trajneri erdhi dy herë për të folur me mua, tani jam thirrur. Ndihem i ri, të mos flasim për moshën. Sa më shumë kohë të kalojë aq më i ri ndihem”.

Për të ardhmen: “Paolo më vë nën presion, ai dëshiron të shohë atë që bëj në fushë për të treguar se e meritoj rinovimin (bën shaka). Gjithçka është nën kontroll, nuk ka asnjë nxitim”

Leave a Reply