Struga Trim Lum nesër ndez motorët për në pranverë

Struga Trim Lum nën drejtimin e trajnerit Srgjan Zaharievski nesër edhe zyrtarisht do të ndez motorët për në pranverë, aty ku ekipi strugan sërish do të tentojë Europën, njofton “infOSport.mk”.

Pjesën më të madhe të përgatitjeve futbollistët e Struga Trim Lum do ta zhvillojnë në Strugë dhe Ohër.

“Po prej nesër edhe zyrtarisht startojmë me përgatitjet për stinorin pranveror. Pjesën më të madhe të përgatitjeve do ta zhvillojmë në Strugë dhe Ohër,  derisa varësisht nga kushtet klimatike që do të mbizotërojnë në vendin tonë, skuadra mund të transferohet në Durrës, aty ku edhe do të zhvillonte fazën kryesore të përgatitjeve” – tha enkas për “infOSport.mk” drejtori sportiv i Struga Trim Lum, Besart Isaku.

Ky i fundit foli edhe për ndeshjet kontrolluese që kanë paraparë të zhvillojnë gjatë kësaj faze të përgatitjeve.

“Për këtë fazë të përgatitjeve kemi paraparë të zhvillojmë 5 ndeshje kontrolluese. 3 prej tyre veçmë kemi caktuar, edhe atë me 21 janar kundër Renovës, me 26 kundër Voska Sport dhe me 5 shkurt do kemi ndeshjen e fundit kundër Ohrid Lihnidos. Na ka mbetur të gjejmë kundërshtarë edhe për dy termine gjatë janarit” – u shpreh Isaku.

Emri i vetëm i ri deri në këto momente te Struga Trim Lum është mbrojtësi Darko Ilieski, derisa i vetmi që u largua, është Florent Osmani. Por vallë do të ketë emra tjerë të rinj në rradhët e skuadrës strugane? Ja edhe përgjigjja e Besart Isakut: “Jemi në bisedime e sipër me një sulmues nga jashtë, pasi mendojmë se kemi nevojë për një futbollistë cilësor për në këtë repart, por gjithsesi se do të tentojmë të përforcojmë skuadrën edhe në mbrojtje dhe në mesfushë. Mendoj se ekipi nuk ka nevojë për shumë ndryshime në mes të sezonit, ashtu që 2-3 emra të rinj do na mjaftojnë që në pranverë të kërkojmë të bëjmë më të mirën, duke tentuar të kapim sërish Europën”.

Kujtojmë Struga Trim Lum stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e 7-të me 26 pikë, ndërsa kjo skuadër do të luaj gjithashtu edhe në gjysmëfinale të Kupës, rrugëtim ky më i shkurtër për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar, kur kjo skuadër luajti në eliminatoret e UEFA Europe Conference League. (infOSport.mk)

Leave a Reply