Renova falë super golave të Shefitit dhe Jusufit mundi Sileksin (VIDEO)

E shtuna ka rezultuar me fat për Renovën, skuadër kjo që mundi Sileksin në ndeshjen e parë të javës së 28-të, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani në këtë ndeshje u futën me shumë vetëbesim, ndërsa e gjithë kjo dha rezultatin e duhur që në pjesën e parë.

Shefit Shefiti në minutën e 12-të hapi serinë e golave, duke shënuar një gol mjaft të bukur nga brendia e zonës. Jasharovski mjaft mirë e gjeti atë në zonën kundërshtare, ndërsa ish futbollisti i Shkëndijës, pasi ndali topin fillimisht, e goditi atë pa menduar shumë, duke tundur rrjetën e Bozhinovskit.

Ky i fundit kapituloi edhe në minutën e 38-të, këtë herë pas një proektili të vërtetë nga ana e Fatjon Jusufit. Mesfushori “bardhekaltër” me të djathtën e tij bombardoi portën e Sileksit, duke bërë që Renova në pushim të shkojë me një epërsi të sigurtë.

“Gjipspunuesit” e administruan lojën mjaft mirë edhe gjatë pjesës së dytë, teksa fare në fund humbën koncentrimin, duke lejuar që Ivan Galevski të shënojë në rrjetën e Velii, për rezultat përfundimtarë, Renova 2, Sileksi 1.

Me këtë fitore, Renova renditet në pozitën e 9-të me 31 pikë, po aq sa ka edhe Akademia Pandev në pozitën e 8-të, skuadër kjo që nesër do të përballet me Vardarin në Strumicë. Sa i përket Sileksit, kjo skuadër me 29 pikë renditet vetëm në pozitën e 10-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply