Lind ideja për krijimin e Ligës Ballkanike në futboll, ja cilat skuadra shqiptare do merrnin pjesë!

Krijimi i Superligës Evropiane ka shkaktuar një “tërmet” në botën e futbollit, por njëkohësisht e njëjta ka frymëzuar edhe të tjerë.

Kështu në Kroaci së fundmi po ‘zhvillohet’ ideja për krijimin e një Lige Ballkanike të futbollit, e cila do të ndahej në dy grupe me nga 16 skuadra.

Sistemi i garave do të ishte si ligat e zakonshme duke u përballur secili me secilin nga dy herë brenda një sezoni në stilin vajtje-ardhje. Në fund të sezonit ekipet që do të renditen në 4 pozitat e fundit të Divizionit të Parë do të zbresin në Divizionin e Dytë, ndërsa 4 skuadrat e para te Divizionit të Dytë ngjiten lartë dhe sezonin e radhës do të luajnë në Divizionin e Parë.

 

Ndërkohë ekipet që do të renditeshin në 4 vendet e fundit të Divizionit të Dytë, egzistencën do ta kërkojnë përmes Play Off-it me ekipe tjera të cilat do të kërkojnë dhe tentojnë inkuadrimin në këtë kompeticion.

Organizatoret e idesë nuk kanë përfshirë skuadra si Olympiakos, PAOK, Galatasaray apo Fenerbahçe, pasi këto klube thuajse çdo sezon janë pjesëmarrës të rregullt në grupet e Ligës së Kampionëve, ndërsa sa u përket skuadrave shqiptare që do mund të garonin, ato janë Shkëndija, Partizani, Tirana, Prishtina dhe Kukësi, ndërsa përveç Shkëndijës, dy skuadrat tjera nga Maqedonia janë Vardari dhe Rabotniçki.

Për kroatët, Liga Europa dhe kompeticioni i ri “Conference League” nuk duken shumë tërheqëse dhe fitimprurese për klubet e Ballkanit dhe besojnë se jetësimi i kësaj gare do të ndihmonte në ngritjen e cilësisë së futbollit në këto treva.

Leave a Reply