Real Madrid-Çelzi, mbyllet me barazim pjesa e parë, Benzema sërish në element (VIDEO)

Është mbyllur me barazim 1:1 pjesa e parë e takimit të parë gjysmëfinal në kuadër të Ligës së Kampionëve midis Real Madridit dhe Çelzit, që në këto momente po zhvillohet në stadiumin “Alfredo di Stefano”, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i takimit u takoi mysafirëve nga Londra, të cilët me shumë lehtësi vinin para zonës së “mbretërve”, duke rrezikuar seriozisht portën e Kurtua.

Ky i fundit luajti rolin e heroit në testin e tij të parë më serioz, kur nga afërsia ndali goditjen e Timo Verner, i cili nga afërsia nuk arriti të shënojë që në minutat e para.

Megjithatë, atë që nuk e bëri gjermani, e bëri amerikani Pulishiç në minutën e 10-të, kur thjeshtë bëri një shëtitje në mbrojtjen “madrilene” për të mposhtur portierin Kurtua.

Pas këtij goli, Reali u ringjallë, ndërsa shenjat e para i dha kapiteni Karim Benzema, me një goditje nga distanca, kur preku pjesën e jashtme të shtyllës. Ky rast njëherit ishte edhe paralajmërimi për golin që erdhi në minutën e 29-të, kur Benzema në mënyrë akrobatike arriti të shënojë një super gol për barazim të rezultatit.

Çelzi sërish u kanos me gjermanin Verner, mirëpo goditja e tij sërish nuk ishte e saktë, ashtu që në pushim Reali dhe Çelzi shkojnë me barazim.

Leave a Reply