Elif Elmas i jep 3 pikët Napolit ndaj Milanit të madh (VIDEO)

Elif Elmas ka rezultuar deçiziv në fitoren e Napolit në transfertën ndaj Milanit të madh, duke realizuar golin e vetëm të takimit të zhvilluar në “San Siro”, njofton “infOSport.mk”.

Shkupjani golin e fitores për ekipin “napolitan” e realizoi që në minutën e 5-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Zielinskit në shtyllën e parë nga rivënia e këndit.

Ishte ky vetëm goli i dytë për Elmas në Serie A, pas atij ndaj Venecias me 22 gusht, ndërsa gjithsej i 6-ti këtë sezon, duke pasur parasysh se 4 gola realizoi në kuadër të ndeshjeve në Liga Europa.

Milani fare në fund me anë të Frank Kesie shënuan golin e barazimit, mirëpo i njëjti u anulua, duke sjellë mjaft pakënaqësi në mesin e “kuqezinjëve”, që në këtë mënyrë humbasin pozitën e dytë në renditje, pikërisht nga Napoli.

Që të dyja skuadrat tashmë kanë nga 39 pikë, mirëpo “napolitanët” për shkak gol-averazhit më të mirë renditen në pozitën e dytë menjëherë pas Interit që ka 43 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply