Omar Imeri: Goli im për “Shvercerat”

Ka përfunduar me fitoren e FC Shkupit ndeshja e parë e javës së 24-të e zhvilluar në Strugë, në të cilën skuadra nga Çairi regjistroi fitore 3:1, njofton “infOSport.mk”.

Vendasit ishin të parët që hapën serinë e golave me anë të Nemanja Bosançiç (45’), mirëpo Adentunxhi shumë shpejtë riktheu barazpeshën, duke bërë që në pushim skuadrat të shkojnë me barazimin 1:1.

Në pjesën e dytët FC Shkupi shënoi edhe dy gola të tjerë, njëri prej të cilëve ishte pjesë e Omar Imerit, që në këtë mënyrë realizoi golin e parë me fanellën “bardhekaltër”, pas rikthimit të tij gjatë janarit të këtij viti.

Ai pas ndeshjes u shpreh i lumtur për fitoren dhe golin, të cilin ua dedikon “Shvercerave”.

“Sigurisht që jam i lumtur që arrita ta ndihmoj skuadrën në këtë fitore. Ishte një ndeshje e vështirë por ne arritëm ti kryejmë detyrat tona me sukses. Gjithashtu jam shumë i lumtur për golin që e shënova dhe këtë gol me shumë kënaqësi ua dedikoj tifozëve tanë që asnjëherë nuk na lanë vetëm, Shvercerat Shkup”, – tha Omar Imeri.

Me këtë fitore, Shkupi vazhdon të qëndrojë lider në tabelë me gjithsej 58 pikë të grumbulluara, 13 më shumë se Akademia Pandevi i vendit të dytë dhe plotë 14 më shumë se Shkëndija në vendin e tretë. Vlen të theksohet se këto dy skuadra kanë edhe nga një ndeshje më pak, që do ti zhvillojnë nesër. Shkëndija do të jetë mysafire në Autokomandë të Shkupit përballë Skopjes, ndërkohë Akademia Pandevi do të udhëtojë për në Kavadar për tu përballur me Tikveshin. (infOSport.mk)

Leave a Reply