Sejdini: Katër klube në Europë, lajmi më i mirë për FFK-në në 6 vjetorin e anëtarsimit në UEFA

Federata e Futbollit të Kosovës sot feston 6 vjetorin nga anëtarsimi në Shtëpinë e Futbollit Europian, UEFA. Në mesin e shumë urimeve nga personalitete të ndryshme nga bota e futbollit, nuk ka munguar as ai nga presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini.

Më poshtë ju sjellim letrën e plotë të dërguar nga Sejdini drejtuar FFK-së:

_____________L E T Ë R  U R I M I_____________

        Kosova me katër klube në përfaqësimin në eliminatoret për Kupat e Europës. Për më shumë, ndryshe nga vitet paraprake kur ishin pjesë e fazës paraeliminatore, klubet kosovare tashmë kërcejnë në nivel tjetër dhe do të jenë pjesë e raundeve kualifikuese drejt fazës së grupeve. Është ky një prej lajmeve më të rëndësishme që ka mundur të merr vendi juaj tashmë kur bëhen 6 vite nga pranimi i FFK-së si anëtare e plotëfuqishme e UEFA-së.

       Saktë gjashtë vite më parë shtëpia e futbollit Europian hapi dyert e institucionalizimit të futbollit të Kosovës dhe në kaq pak vite ju duhet të jeni krenarë për hapat e rëndësishëm që keni bërë përpara. E nisur nga presidenti i ndjerë Fadil Vokrri, e duke vazhduar nga krahu e tij i djathtë, Agim Ademi, president aktual, Federata e Futbollit të Kosovës ka treguar impenjim admirues dhe përkushtim shembullor për avansimin e këtij sporti. Dhe jo vetëm federata, por edhe klubet, sponsorët, mediat dhe gjithë përbërësit e garës janë meritorë për ngritjen e futbollit kosovar.

        Nëse gjashtë vite më parë ishit të posa-institucionalizuar e kushtimisht thënë fillestarë, sot pas 6 viteve jeni vend serioz, me një ekip përfaqësues të respektuar nga të gjithë, me klube që vitin paraprak treguan cilësi e dinjitet në përfaqësimin europian dhe me nivel e vendosshmëri për t’u përmirësuar akoma më shumë në të ardhmen.

        FFK dhe Komiteti Ekzekutiv në krye me presidentin Agim Ademi prezantuan një strategji të qartë për periudhën që pason, ku mes tjerash vëmendje e veçantë po i kushtohet përmirësimit të infrastrukturës. Kjo do të bëjë ndikim të madh në krijimin e një imazhi tjetër të futbollit tuaj, paralel me krijimin e kushteve më të mira për punë. Këto janë parakushte për të ardhme të suksesshme dhe Kosova duket se gëzimet e vërteta në futboll i pret në periudhën që pason.

        Me këtë rast, duke ju dëshiruar shumë suksese në të ardhmen, në emrin tim personal, në emër të Këshillit Drejtues të FFM-së, në emër të federatës dhe gjithë komunitetit të futbollit në vendin tonë, ju uroj 6 vjetorin e pranimit si anëtare e plotëfuqishme e UEFA-së.

Leave a Reply