Në Shqipëri shteti po ndërton stadiume, Maqedonia i falet vetëm investimeve të Muamed Sejdinit (VIDEO)

Infrastrukura në çdo lëmi luan rol determinant në drejtim të arritjes së niveleve më pozitive dhe sporti në përgjithësi e futbolli në veçanti nuk janë përjashtim. Fatkeqësisht, derisa në vendin tonë situata në këtë këndvështrim len shumë për të dëshiruar, jo më larg se vendet fqinje tregojnë kujdes të veçantë në këtë drejtim.

Viteve të fundit jemi dëshmitar se Shqipëria ka kompletuar 5 stadiume të reja, moderne dhe sipas standarteve të kërkuara nga UEFA për të zhvilluar ndeshje të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar. Duke nisur nga “Air Albania”, “Loro Boriçi”, “Elbasan Arena”, “Niko Dovana” i Durrësit, “Selman Stermasi” dhe së fundmi u inaugurua edhe “Kukës Arena”, duke kompletuar një pasqyrë të kënaqshme të infrasturkturës së futbollit shqiptarë që në këtë aspekt po ecë përpara. Përveç impianteve moderne të lartpërmendura, investimet në infrastrukturë nuk kanë munguar edhe në tjera vende ku janë ndërtuar fusha të reja dhe ndërhyrje në stadiume krahas atyre që janë ndërtuar plotësisht prej fillimi. Dhe thelbi i problemit te ne apo të mirës që po ndodh në Shqipëri qëndron në faktin se të gjitha këto janë ndërtuar nga vet shteti dhe Qeveria shqiptare, duke u ndihmuar normalisht edhe nga Federata e Futbollit të Shqipërisë. FSHF ka asistuar në disa aspekte, por në përgjithësi projektet për stadiumet e reja, janë financiuar nga vet shteti.

Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, kemi ngecur në këtë sferë, për të mos thënë se investimet në stadiume janë lënë në harresë nga shteti. Përveç stadiumit të kryeqytetit “Todor Proeski”,  aty ku në vitin 2017 u prit Superkupa e Europës (Real Madrid – Mançester Junajted), stadiumet tjera lënë shumë për të dëshiruar.

Qeveria nuk investon, vetëqeverisjet lokale nuk tregojnë se posedojnë buxhet për kësi lloj investime të mëdha, ndërsa e vetmja që ka “lëvizur gurin” në këtë aspekt është Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

E marrë nën udhëheqjen e presidentit shqiptar, Muamed Sejdini, FFM ka qenë e përqendruar më shumë në investimet në infrastrukturë, me projekte të ndryshme dhe me të njejtat ende vazhdon.

Duke nisur nga kryeqyteti, FC Shkupi, nga FFM me mjete nga projektet “Het Trik” të UEFA-së, arriti që të përfiton një tribunë të re moderne, plus terren të ri me bar natyral me sistem modern për ujitje dhe kullim. Reflektorë të ri së bashku me terren të ri në stadiumin në Prilep. Tribunë dhe terren të ri në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër, terren të ri në Xhepçisht të Tetovës për KF Renovën, reflektorë të ri dhe modern në stadiumin në “Tumbe Kafe” në Manastir, terren të ri me bar artificial në Strumicë, tribunë të re moderne në stadiumin e Shtipit, pasi paraprakisht ishin investuar në stadiumin e Qytetit në Tetovë gati 1 milion euro për komplet terrenin e ri modern me sistem ujitje e kullimi si dhe vendosjen e prozhektorëve që përveç testimeve kurrë nuk u lëshuan në përdorim.

Ndërkohë projekti i radhës i të parit të FFM-së, është ndërtimi i një stadiumi të ri modern me kapacitet prej 12 mijë ulëseve në kryeqytet, me të gjitha standartet e UEFA-s, aty ku parashihet që në të ardhmen, përfaqësuesja e vendit ti luajë ndeshjet ndërkombëtare. Mirëpo, a mjafton vetëm kjo? Sigurisht se jo! FFM dhe Sejdini duket se nuk mund ti mbulojnë të gjitha, pasi në të gjithë botën, federatat e futbollit asistojnë në përmirësimit të infrastrukturës dhe janë bashkëpuntorë të Qeverive për ndërtimin e stadiume, përderisa vetem tek ne ndodh e kundërta dhe shteti nuk merret fare me gjendjen katastrofale të infrastrukturës në sportin numër një në botë, e që nën drejtimin e Muamed Sejdinit po shënon rezultatet më të mira në histori, duke luajtur në Kampionatin Europian Euro 2020, e duke marrë fitore unike ndaj kampionëve të shumëfishtë europian e botëror Gjermanisë dhe Italisë, derisa vetëm një fitore mungoi për të prekur pjesëmarrje në Kupën e Botës. Fatkeqësisht deri tani edhe kjo nuk ka provokuar qeverinë që të mendojë të bëjë një hap, jo për të zbuluar “ujin e nxehtë”, por vetëm të ndjek shembullin e tjerëve, jo më larg se në Shqipëri.

Leave a Reply