Golat nga fitorja historike 4:1 e KF Arsimit ndaj Ovçe Pole (VIDEO)

KF Arsimi sot në Shkup ka shkruar historinë, duke mundur Ovçe Polen dhe duke u kualifikuar për herë të parë në historikun e saj në Ligën e Dytë, njofton “infOSport.mk”.

Edhe përkundër disavantazhit që kishin gjatë pjesës së parë (0:1), futbollistët e KF Arsimit zhvilluan një pjesë të dytë mjaft të mirë, kur arritën të realizojnë 4 gola dhe në fund të arrijnë fitoren më të ëmbël të sezonit (4:1).

Një gabim amatoresk i portierit Kabir Iseni në minutën e 12-të, u dha mundësinë kundërshtarëve që përmes Darko Nacev të kalojnë në epërsi.

Siç cekëm më lartë, ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa pjesa e dytë në tërësi foli për ekipin nga Çegrani, që kishte përkrahje të madhe edhe nga tribunat e stadiumit të Gjorçe Petrovit.

Këta të fundit shpërthyen në festë në minutën e 53-të, kur mesfushori Vullnet Elmazi realizoi një eurogol të vërtetë për barazim të rezultatit në 1:1.

Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 59-të pas një harkimi të Ajrulit në zonën kundërshtarë, Huzri Xhemaili realizoi golin e tij të parë në këtë takim, duke kaluar për herë të parë në epërsi skuadrën e KF Arsimit.

Goli i tretë mban firmën e shkupjanit, Mahir Ajruli, i cili me armën e tij më të fortë, këmbën e majtë në minutën e 63-të shënoi për 3:1, duke sjellë edhe qetësinë e duhur në rradhët e skuadrës nga Çegrani, që në ato momente kishte një epërsi komode.

Megjithatë këtu nuk ishte edhe fundi i golave të shënuar, pasi në minutën e 81-të, Xhemaili realizoi edhe golin e dytë personal, duke vendosur rezultatin përfundimtarë të takimit, KF Arsimi 4, Ovçe Pole 1.

Pas kësaj fitore pasoi festë e madhe në mesin e gjithë futbollistëve dhe tifozëve në KF Arsimit, që edicionin e ri do të luajnë në Ligën e Dytë unike, bashkë edhe me Karaormanin, që në ndeshjen tjetër të balotazhit përmes penaltive mundën Vardar Negotinën. (infOSport.mk)

Leave a Reply