Drita e Ardian Nuhiut, një Dritë europiane (VIDEO)

Drita e Ardian Nuhiut mbrëmë vërtetë ka bërë dritë në stadiumin “Fadil Vokrri” duke e mundur ekipin e Inter Turku me shifrat 3:0, njofton “infOSport.mk”.

Falë kësaj fitore, skuadra gjilanase arriti që të përmbys rezultatin nga ndeshja e parë, kur në Finlandë, ishte mundur minimalisht 1:0. Kështu me rezultatin e përgjithshëm 3:1, Drita vazhdon në turin e dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës, aty ku do të përballet me belgët e Antverpen.

Goli i parë i takimit erdhi vetëm pas dy minutave lojë, kur pas një depërtimi të bukur të Arbnor Mujës nga krahu i majtë, Marko Simonovski u gjet në një pozitë shumë më të volitshme dhe me të majtën e tij shënoi për 1:0.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa fillimi i pjesës së dytë kaloi nën ritmin e Arbnor Mujës, që brend dy minutave shënoi dy gola në rrjetën e finlandezëve.

Golat e tij u shënuan konkretisht në minutën e 49 dhe 51.

Deri në fund të takimit, edhe pse pati edhe shumë minuta në dispozicion, skuadra kundërshtare nuk arriti që në asjë moment të rrezikoj portën e Dritës, që edhe këtë vit kthehet në krenari për futbollin e Kosovës. (infOSport.mk)

Leave a Reply