Trajneri i Dinamos në prag të ndeshjes me FC Shkupin më shumë i druhet Goce Sedlloskit!

Dinamo Zagrebi është favorit absolut përballë FC Shkupit në ndeshjen e parë në Zagreb, e vlefshme për turin e dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve. Një gjë të tillë ka pranuar edhe trajneri i gjigandëve kroat, Ante Çaçiq, i cili thotë se një gjë të tillë megjithatë do të duhet ta dëshmojnë edhe në fushën e blertë.

Sipas tij, pikërisht trajneri Goce Sedlloski mund të jetë problemi i tyre më i madh, pasi e njeh mjaft mirë Dinamo Zagrebin dhe lojën e kësaj skuadre.

“Dinamo është favorit në këtë ndeshje dhe këtë rol e pranojmë si të tillë. Jemi më të mirë, mirëpo një gjë të tillë do të duhet ta dëshmojmë edhe në terren. Goce Sedlloski me vite të tëra luante te Dinamo, duke lënë gjurmë në Zagreb dhe Kroaci. Ishte trajner edhe i ekipit të dytë të Dinamos, na njeh shumë mirë dhe me të në bankinën e FC Shkupit, mendoj se na pret një ndeshje e vështirë” – është shprehur trajneri i Dinamo Zagreb, Ante Çaçiq.

Me Çaçiq në krye, Dinamo Zagrebi fitoi SuperKupën e Kroacisë gjatë këtij muaji, duke mundur Hajdukun përmes penaltive, ndërsa në kampionat debutoi me një fitore të vështirë 3:2 ndaj Lokomotivës së Zagrebit. (infOSport.mk)

Leave a Reply