“Luomo Caffe” fituese e turneut në futboll të vogël “Liria 2022”

“Luomo Caffe” doli të jetë fituese e turneut “Liria 2022”, që rikthehet në skenë pas shumë viteve, këtë herë me inciativë të treshes së njohur të futsalit në vend, por edhe më gjërë, Taulant Ismailit, Eljesa Nezirit dhe Orhan Ibishit, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja u mbyll vetëm pas 20 minutave lojë, kur falë golit të Erkan Shabanit, “Luomo Caffe” avansoi përballë ekipit nga Kumanova “Arena Sport – Hotël”.

Goli i ekipit shkupjan erdhi pas një aksioni mirë të ndërtuar, ndërsa ndeshja u ndërpre vetëm pak sekonda para fundit të pjesës së parë, kur një gjest i pahijshëm i lojtarit të “Arena Sport Hotël”, Bekim Mustafi, solli edhe një tollovi, kur edhe një pjesë e publikut u fut brenda fushës.

Mustafi kapi për fytyre njërin prej arbitrëve, për shkak se ishte ndëshkuar me të kuq, ndërsa pas tollovisë së ndodhur ekipi nga Kumanova vendosi që mos të dalë të luaj edhe pjesën e dytë, ndërsa organizatorët vendosën që fituesin të shpallin vetëm pas 20 minutave lojë.

Kështu “Luomo Caffe” ngriti lartë trofeun e më të mirit të turneut, duke fituar edhe një shpërblim në vlerë prej 80 mijë denarë, ndërsa ekipi i vendit të dytë, “Arena Sport Hotël” përfitoi 40 mijë denarë.

Organizatorët e këtij turneu gjithashtu kishin përgatitur edhe mirënjohje për gjithë përkrahësit e këtij turneu, si dhe disa prej figurave politike, përfshirë këtu Liridon Baftiun, zv.Drejtorin e Entit për Punë dhe Politikë Sociale, zv.Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nazim Bushi, si dhe për zv.Kryeministrin e parë të vendit, Artan Grubi, i cili të pranishmit i përshëndeti me një fjalim të shkurtër, duke uruar për guximin e marrë që të ringjallin sërish një ndër turnetë më të vjetër në Shkup, “Liria”.Të pranishëm ishin gjithashtu edhe Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, si dhe ai i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Në fund të turneut, organizatorët përveç ndarjes së mirënjohjeve për dy arbitrët e turneut, Muzafer Ismaili dhe Kujtim Çupi, gjithashtu kishin siguruar shpërblime edhe për portierin më të mirë, Ivan Stojanovski, që erdhi nga rradhët e skuadrës finaliste “Arena Sport Hotël” si dhe për lojtarin më të mirë të turneut, Jakup Ramadani, nga ekipi fitues i “Luomo Caffe”. (infOSport.mk)

Leave a Reply