Adentunxhi më në fund gjen golin në futbollin vendor, paralajmëron Shkëndijën!

FC Shkupi të mërkurën në Strumicë mundi Bellasicën me shifrat 3:1, duke u kualifikuar për 1/8 e finales së Kupës, njofton “infOSport.mk”.

Kostarikani, Fredy Alvarez realizoi dy gola në këtë ndeshje, derisa një gol tjetër realizoi Sandej Adentunxhi.

Për sulmuesin nigerian, i cili edicionin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit me 20 gola të shënuar, ishte ky vetëm goli i parë në sezonin e ri në futbollin vendor.

Adentunxhi, i cili kishte munguar në dy ndeshjet e fundit kampionale kundër Tikveshit dhe Rabotniçkit, këtë edicion në Ligën e Parë ka zhvilluar vetëm 3 ndeshje, mirëpo duke mos gjetur golin.

Ai madje në ndeshjen e xhiros së 5-të kundër Bregallnicës në Shtip u ndëshkua me të kuq, ndërsa goli i shënuar ndaj Bellasicës, vjen në momentin e duhur për Adentunxhin, me këtë të fundit që pritet të jetë violina e parë në sulmin e FC Shkupit për ndeshjen e fundjavës që vjen, kundër Shkëndijës në Tetovë.

Ndaj “kuqezinjëve” nga Tetova, Adentunxhi do të zhvillojë ndeshjen e tij të 40-të zyrtare, teksa do të kërkojë golin e parë në ndeshjet ndaj Shkëndijës, duke pasur parasysh se edicionin e kaluar në të trija ndeshjet nuk kishte mundur të tund rrjetën e skuadrës tetovare. (infOSport.mk)

Leave a Reply