Shqipërisë iu shtua edhe një super stadium, Partizani bëhet me kulm falë presidentit Demi

Shqipërisë iu shtua edhe një super stadium, investim ky personal i Gazmend Demit, presidentit të skuadrës së njohur shqiptare të Partizanit, shkruan “infOSport.mk”.

Është ky një stadium modern me 6000-7000 ulëse dhe përmasa europiane, me ndriçim për zhvillimin e ndeshjeve të natës, hotel në shërbim të klubit si dhe 2 fusha stërvitore.

Urojmë klubin e Partizanit për shtëpinë e tyre të re, ndërsa përgëzimet më të sinqerta shkojnë edhe për presidentin, Gazmend Demi, i cili duhet të jetë shembull edhe për shumë biznesmen të tjerë shqiptarë si në Shqipëri, Kosovë, po ashtu edhe në Maqedoni.

Ky i fundit foli për faqen zyrtare të klubit të Partizanit, skuadër kjo që i nisi me këmbë të mbarë ndeshjet në këtë impiant, duke mundur Bylisin me rezultatin 2:1.

Ndryshe ishte kjo fitorja e 7-të për Partizanin pas 12 javëve të zhvilluara, me ç’rast kjo skuadër aktualisht ndanë pozitën e parë me rivalin e përjetshëm, Tiranën, që të dyja skuadrat me nga 22 pikë.

Më poshtë mund të lexoni prononcimin e presidentit të Partizanit, Gaz Demi:

Kompleksi dhe Stadiumi i ri ka qenë ëndërr dikur, ëndrra ka ikur, jemi në përfundim të projektit. Shpresojmë se do të shkojë diçka mirë, shpresojmë të ecin mirë të tjerat.

Kërkesat ia kam dhënë vetes, nuk është se kam patur ndonjë kërkesë të madhe. Me ndihmën e dashamirësve kemi bërë këtë që është bërë deri tani, shpresojmë të mbarojmë kompleksin përfundimisht.

Mendoj se tifozët do të mësohen me distancën. Partizani është emër i madh, do të jetë ndeshja e parë kjo, një ndeshje e shpejtë. Menduam të mos vonohemi duke shpenzuar para, shpresoj të mësohen se nuk është edhe aq larg, 4,5 km nga qendra e Tiranës.

Shpresojmë të jemi më të qetë në fushën tonë dhe stadiumi të na sjellë një krenari e sukses në të ardhmen.

Shpresojmë shumë që ta kthejmë titullin në këtë stadium, duam të bëjmë mirë e të na ecë fati.

(infOSport.mk)

Leave a Reply