Maqedonia barazon me Finlandën në miqësoren e zhvilluar në Shkup

1:1 është mbyllur takimi miqësor midis Maqedonisë dhe Finlandës, i zhvilluar në arenën “Todor Proeski”, njofon “infOSport.mk”. Rezultoi të jetë kjo një ndeshje mjaft e mirë, ku të dyja skuadrat patën momentet e tyre të mira, derisa të parët që shënuan ishin miqtë kur Oliver Antman në minutën e 37-të arriti që të tund rrjetën e Stole Dimitrievskit.

Finlandezët pasi ndërprenë një aksion të “verdhekuqve” në gjysmëfushën e tyre me 3 prekje, përfshirë këtu edhe atë finale të Antman, arritën që të shënojnë golin e avantazhit.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën Maqedonia në tërësi morri nën kontroll lojën, përderisa miqtë nga Finlanda tentonin që të shënonin vetëm përmes kundërzbritjeve. Maqedoninë sulmuese e paralajmëruan edhe dy zëvendësimet e bëra nga ana e trajnerit Milevski, i cili në lojë hodhi Lupçe Doriev të Shkëndijës dhe Bojan Miovskin e Aberdinit skocez.

Dy kanosjet e para në këtë pjesë i regjistrojmë nga Enis Bardhi, i cili tentoi të barazojë përmes goditjeve të lira, mirëpo pa sukses, pasi në vendin e duhur ishte portieri mysafir, Joronen.

Duke pasur parasysh se loja nuk ndryshoi me inkuadrimin në lojë të dyshes Miovski-Doriev, saktë pas një ore lojë, Milevski hodhi në lojë edhe 3 futbollistë të rinj, Valon Etemin, Jani Atanasovin dhe Darko Velkovskin, në vend të Ilija Nestorovskit, Boban Nikolovit dhe Visar Musliut.

Edhe me inkuadrimin e tyre Maqedonia kishte posedimin e topit, mirëpo ishte Finlanda që u kanos përmes dy kundërzbritjeve, kur fillimisht një rast të tyre ndali portieri Dimitrievski, që më pas goditja e Soisalo të prek vetëm rrjetën e jashtme.

Në minutën e 75-të Ezgjan Alioski pas një dueli me Soisalon nga e djathta depërtoi brenda zonës, aty ku u ndal në mënyrë të palejuar, me ç’rast arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë. Përgjegjësinë e ekzekutimit e morri Enis Bardhi, i cili nuk gaboi dhe në ato momente barazoi shifrat në 1:1.

Deri në fund të takimit munguan rastet para portës së mysafirëve, por jo edhe para portës së Dimitrievskit, i cili në një moment pati aleat edhe shtyllën në këtë ndeshje, në të cilën minutat e tij i pati edhe Agon Elezi, që në minutën e 85-të zëvendësoi Elif Elmas.

Kujtojmë, të dielën (22 nëntor) Maqedoninë e pret edhe një miqësore tjetër, këtë herë kundër Azerbejxhanit, sërish në Shkup. (infOSport.mk)

Leave a Reply