Korabi nga Dibra gati të rikthehet aty ku e ka vendin

Një ndër skuadrat më të vjetra shqiptare në Maqedoni, KF Korabi nga Dibra, ka arritur që të dalë kampion vjeshte në Ligën e tretë – JugPerëndim, duke lënë pas vetes skuadrën e Novacit nga Manastiri, njofton “infOSport.mk”.

Të dyja këto skuadra pas 10 xhirove të para kanë tubuar nga 24 pikë, ndërsa Korabi shpallet kampion vjeshte vetëm për shkak gol-averazhit më të mirë.

Korabi duelin e parë kundër Novacit e zhvilloi në Dibër, dhe të njëjtin e kishte fituar me rezultatin minimal 1:0, ashtu që ndeshjen e stinorit pranveror kundër konkurrentit të drejtëpërdrejtë do ta zhvillojë në Manastir.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se pikërisht ajo ndeshje mund të vendos për fatin e kampionatit dhe të këtyre dy skuadrave, kur është në pyetje vendi i parë, pasi që edhe Korabi, edhe Novaci gjatë stinorit vjeshtorë ishin mundur edhe nga skuadra të tjera.

Kështu, Korabi ishte mundur në ndeshjet në transfertë përballë Prespës (2:1) dhe Demir Hisarit (3:1), derisa Novaci përveç disfatës nga Korabi, kishte pësuar edhe në shtëpi nga skuadra strugane e Jang Tim, që renditet në pozitën e tretë me 19 pikë.

Pikërisht Jang Tim mund të jetë skuadra që mund të vendos shumë gjëra rreth dy pozitave të para, duke mos harruar këtu edhe ekipin e Demir Hisarit, që gjithashtu ka një skuadër të mirë. (infOSport.mk)

Leave a Reply