Miqësore, Voska Sport mundi KF Arsimin

Voska Sport ka regjistruar fitore 2:1 në ndeshjen kontrolluese të zhvilluar sot përballë KF Arsimit nga Çegrani, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e dytë për skuadrën shqiptare nga Ohri, pas atij barazimi 2:2 ndaj Shkëndijës në Tetovë, ndërsa në anën tjetër ndeshja e parë për skuadrën e KF Arsimit, te e cila skuadër u paraqitën edhe përforcimet e reja, por edhe disa prej futbollistëve të rinj, që në pranverë pritet të konkurrojnë për një vend në formacion.

Të dy trajnerët në këtë ndeshje provuan nga dy formacione të ndryshme, ndërsa te Voska Sport në sy ra mungesa e kapitenit Izair Emini, me të cilin trajneri Berat Imeri nuk dëshironte të rrezikojë asgjë, pasi i njëjti ankohej në një lëndim të natyrës më të lehtë.

Ndryshe Voska Sport avansoi falë golit të Ensar Lumës në minutën e 25-të, gol ky që doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë pjesës së parë.

Në pjesën e dytë të dyja skuadrat shënuan nga një gol, duke bërë ndeshjen më interesante. Ishin mysafirët ata që barazuan në minutën e 64-të me anë të Muhamed Bekir, ndërsa vetëm 4 minuta më pas, Alen Jasharovski, duke treguar formën e tij të mirë shënoi golin e fitores për Voska Sport, duke realizuar nga penaltia.

Kujtojmë, Jasharovski kishte shënuar që të dy golat në ndeshjen e parë kundër Shkëndijës. Ndeshjen e rradhës, Voska Sport do ta zhvillojë kundër Bregallnicës me datë 28 janar, ndërsa kundërshtarë i rradhës i KF Arsimit në këtë fazë përgatitore do të jetë skuadra e FK Skopje. (infOSport.mk)

Leave a Reply