Eurogoli i Ylber Alilit që çmendi “Ilirët” dhe gjithë Kumanovën (VIDEO)

Kumanova jeton për futbollin, apo më mirë thënë jeton për Bashkimin. Një gjë e tillë u vërtetua edhe sot në derbi ndeshjen e javës së 23 në Ligën e Tretë – Veri, në të cilën Bashkimi i tyre mirëpriti skuadrën e BVK Konjare nga Shkupi, njofton “infOSport.mk”.

Stadiumi i Bashkimit ishte i stërmbushur me tifoz, të cilët pa dyshim se luajtën rolin e lojtarit të 12-të, duke ndihmuar skuadrën e tyre që mos të ndjejë mungesën e Alajdin Alilit, i cili u përjashtua me të kuq vetëm pas 10 minutave lojë.

Mirëpo edhe përkundër disavantazhit numerik, Bashkimi diktonte tempo në këtë ndeshje që u zhvillua në një ambient të shkëlqyeshëm, që do ta kishin zili edhe skuadrat e Ligës së Parë.

Ngjyrë këtij derbi i dhanë edhe grupi i tifozëve “Ilirët”, që në asnjë moment nuk ndaluan duke përkrahur Bashkimin, futbollistët e së cilës skuadër në fund i falënderuan me fitoren e 20-të sezonale.

Më i merituari, apo heroi i këtij takimi doli të jetë rezervisti, Ylber Alili, i cili shënoi një eurogol të vërtetë, që dorën në zemër rrallë herë shihet edhe në ndeshjet e Ligës së Parë.

Alili, me të majtën e tij bombastike në minutën e 58-të “çmendi” publikun kumanovar, kur nga një pozitë jo edhe aq të volitshme, në mënyrë perfekte ekzekutoi një gjysmë rivënie nga këndi, duke vendosur topin pas shpinës së portierit mysafir.

Ky gol u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e Bashkimit, që pas 23 xhirove numëron 61 pikë, 9 më shumë se BVK Konjare, skuadër kjo që ka edhe një ndeshje më pak.

Ndeshjen e rradhës skuadra e Bashkimit do ta zhvillojë kundër EuroMilk me datë 30 prill në Shkup, derisa BVK Konjare në terren vendas do të mirëpret Maxhari Solidarinostin, ndaj së cilës skuadër, Bashkimi në vitin 2005 kishte shkruar historinë, duke triumfuar në finalen e Kupës së Maqedonisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply