Betim Fazliji largohet nga St.Pauli, rithehet në Zvicër!

Betim Fazliji do të largohet nga skuadra gjermane e St.Pauli vetëm pas një viti të kaluar.  Mbrojtësi kosovar i cili luan edhe në rolin e mesfushorit nuk ka arritur të përshtatet me futbollin gjerman dhe largimi nga St.Pauli duket i pashmangshëm.

24-vjeçari e nisi mirë aventurën te skuadra gjermane, por me ndryshimin e trajnerit ai humbi hapësirat e tij, duke mos zhvilluar shumë ndeshje.

Në përgjithësi Fazliji ka zhvilluar 21 ndeshje me St.Paulin, ku ka në total 746 minuta.

Mediat zvicerane kanë raportuar se St. Gallen ka arritur marrëveshje personale me Fazlijin për tu rikthyer ky i fundit te skuadra ku bëri famën më të madhe dhe shkëlqeu.

Megjithatë për tu finalizuar ky transferim duhet gjetur gjuha e përbashkët me St. Paulin, me skuadrën gjermane që kishte paguar 450 mijë euro për transferimin e tij.

Gjithsesi mediat zvicerane kanë raportuar se java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Fazlijit, i cili me përfaqësuesen e Kosovës numëron 18 ndeshje.

Leave a Reply